Kurti: Katër prokurorë që e kishin rastin e Deharit u pensionuan pa e kryer punën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka adresuar kritika ndaj Prokurorisë Speciale në tetë vjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit në burgun e Prizrenit tetë vite më parë.

“Në këto tetë vite katër prokurorë e kishin rastin e mbytjes në burgun e Prizrenit të Astritit, por që të katër dolën në pension pa e kryer punën. Tash është prokurori i pestë që e ka marr rastin”, tha Kurti para gazetarëve pasi bëri homazhe tek varri i Deharit.

Ndërsa për ta ndriçuar rastin e Deharit, Kurti ka thënë se Qeveria që e drejton është e gatshme ta ndihmojë organin e akuzës.

“Si LVV, si Qeveri e Republikës jemi shumë të interesuar dhe të gatshëm që ta ndihmojmë me krejt çka mundemi e dimë Prokurorinë e Shtetit, për të sjellë drejtësi për Astritin dhe familjen e tij”, shtoi kryeministri.

Para gazetarëve ka folur edhe Avni Dehari, babai i të ndjerit, i cili ka theksuar se nëse nuk zbardhet rasti i djalit të tij, vërtetohet se “gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel”.

“Tetë vite, një njeri që ka humbur jetën në një institucion të Kosovës të mos zbardhet e vërteta, për të flet vet. Nëse nuk zbardhet ky rast dhe raste të tjera, tregon se gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel dhe Kosova nuk e meriton të ketë një gjyqësi të tillë”, theksoi Dehari.

Ndërkaq avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka potencuar se katër prokurorët që kanë pasur në dorë rastin e aktivistit të LVV-së, Deharit, sipas tij kanë dashur të manipulojnë të vërtetën “kinse Astriti ka vdekur në spitalin e Prizrenit”.

Ndryshe, Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin./Albanianpost.com

Read Previous

Fluturimet ajrore në Shqipëri, rritje prej 32% në tremujorin e tretë të vitit

Read Next

Edi Rama: Arkivi shqiptar, i vetmi në Europë që ofron çdo dokument online dhe falas