Qeveria Kurti nuk është kundër shpronësimit në koncept por kundër plaçkitjes. Kështu tha i pari i Qeverisë, Albin Kurti kur u pyet nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj se a është kundër shpronësimeve.
Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës thotë se nuk do të lejojnë që vlera e shpronësimit të pronave për projekte publike të dyfishohet përgjatë rrugës siç ka ndodhur në qeverisjet e kaluara.
Deputetja Kadrijaj drejtoi kritika ndaj Qeverisë Kurti I dhe Kurti II për abuzim me shpronësimet.
Kadrijaj: Kryeministër keni abuzuar me shpronësime
“Kryeministër keni abuzuar shumë me çështjen e shpronësimeve si Vetëvendosje dhe Qeveri. A jeni kundër shpronësimeve në koncept dhe nëse nuk jeni kundër sa shpronësime i keni bërë në Qeverinë Kurti I dhe Qeverinë Kurti II?”, pyeti deputetja Kadrijaj.
Me ç’rast ai tha se nuk kanë problem me shpronësimin si koncept, por me plaçkitjen që ka ndodhur në emër të shpronësimit.
Kurti: Kemi problem me plaçkitjen që është bërë në emër të shpronësimit
“Ne nuk kemi asnjë problem me shpronësimin si koncept e aq më pak kur kjo mundëson realizimin e projekteve në të mirë publikut. Ne kemi problem me plaçkitjen që është bërë në emër të shpronësimit, dyfishimi i vlerave të pronave nga zyra pasi që ato fillimisht janë vlerësuar, nuk është shpronësim, është hajni. Ne si qeveri kemi miratuar shpronësime dhe shpronësimi i koncept do të përdoret sa herë që është e nevojshme për projekte në interesin e publikuar, por asnjëherë nuk do të lejojmë që përgjatë rrugës të dyfishohet vlera siç ju ka ndodhur juve”, tha Kurti.
Nga foltorja e kuvendit Kurti tha me ardhjen në qeveri borxhet për shpronësime i kanë gjetur në vlerën prej 184 milionë euro dhe zero buxhet për to. Ai tha se menjëherë kanë vepruar duke ndarë buxhetin për të paguar borxhet e mbledhura.
Kadrijaj pyeti Kurtin edhe nëse janë ndërruar njerëzit në komisionin për shpronësim, për çka ai bëri të ditur se drejtori më nuk është i njëjti
Kurti: Më shumë kemi bërë anulime të shpronësimeve
“Ne ë shumë kemi bërë anulime të shpronësimeve sesa shpronësime sepse duam ta ruajmë paranë e pasurinë publike dhe duam ta zhvillojmë vendin. Drejtori nuk është më i njëjti. Dhe kostoja e vendimeve të aprovuara përfundimtare për vitin 2020 ka qenë 5.6 milionë euro, ndërsa pagesa u bë në vitin 2021 nga ne afër një milion euro. Pra, qeverisjet e kaluara edhe kanë hyr në obligime financiare dhe na kanë lënë zero euro buxhet. Ne i kemi zhbllokuar shpronësimet për rrugën Mitrovicë-Prishtinë dhe rrugën Podujevë -Besi e kështu do të vazhdojmë dhe më tutje”, potencoi Kurti. /KP/