Kurti: Bashkimi i tregjeve Kosovë-Shqipëri na forcon në tregun energjetik

Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës ka mbajtur ceremoninë zyrtare me rastin e funksionalizimit të Tregut një Ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se bashkimi i tregjeve mes dy shteteve e pozicionon Kosovën si akter në tregun evropian të energjisë elektrike.

Ai shtoi se ky bashkëpunim do të luajë rol edhe në bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Shqipëri.

“Inaugurimi shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës. Një bashkëpunim ky i cili luan rol në aspektin ekonomik dhe atë të transparencës në sektorin energjetik. Në vitet e fundit kriza energjetike e ka bërë një gjë të qartë, sektori i energjisë është transformuar. Qëllimet e Kosovës janë të fokusuara në përballueshmëri financiare për qytetarët dhe bizneset. Bashkimi i tregjeve Kosovë-Shqipëri është një katalizator për përfshirjen e sektorit privat. Nëpërmjet bashkëpunimit ne synojmë të hapim ekonominë, duke ndihmuar bizneset të bëhen më efektive”, theksoi kryeministri.

Rreth bashkimit të dy tregjeve, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli paralajmëroi edhe tërheqje të investimeve në sektorin energjetik.

“Sot rëndësia e kësaj burse është e vështirë të përshkruhet me fjalë sepse ndikimet e tij nuk i shohim vetëm sot por edhe gjatë viteve dhe dekadave që po vijnë. Kosova dhe Shqipëria do të jenë pjesë e një blloku të rëndësishëm rajonal. Se sa është e rëndësishme kjo, kriza me të cilën jemi ballafaquar na ka treguar më së miri. ALPEX është bllok i domosdoshëm në synimin tonë për t’u integruar në tregun evropian të energjisë elektrike”, tha ajo. /RTK/

Read Previous

Hovenier hendbollisteve të U-18: Vazhdoni ta bëni Kosovën krenare

Read Next

NATO-ja i fillon stërvitjet në Finlandë, Norvegji dhe Suedi