Policia spanjolle ka arrestuar tre shtetas shqiptarë për kultivimin e bimëve narkotike.Të arrestuarit i përkasin moshave, 22, 39 dhe 44 vjeç dhe janë të dyshuarit kryesor për plantacionin ilegal.
Mediat e huaja njoftojnë se policia vendase, asgjesoi plantacionin me 2,541 bimë marijuane, të enjten, 19 gusht, në një magazinë në rajonin Segria.
Mësohet së 3 të arrestuarit kishin krijuar një hapësirë në papafingon e magazinës, ku jetonin për javë të tëra pa dalë jashtë ambienteve, për të shmangur policinë.
Megjithatë, ata ranë në “radarët” e policisë, pasi prej disa muajsh vendi mbahej nën vëzhgim.
Në momentin që policia ndërhyri për t’i arrestuar, ata tentuan të largoheshin nga çatia, por nuk mundën.
Magazina me bimët narkotike ishte e pajisur me llamba, gjeneratorë, ventilatorë, nxjerrës dhe materiale fitosanitare për të nxitur rritjen e bimëve.
Gjithashtu, policia zbuloi se tri shqiptarët po krijonin hapësira të reja në magazinë, për të zgjeruar plantacionin e bimëve narkotike. Përveç kësaj, sipas policisë, është gjetur se të arrestuarit kishin manipuluar instalimin për të vjedhur e energji elektrike.
Të arrestuarit së shpejti do të paraqiten para gjykatës hetimore të rajonit. /IndeksOnline/