Përmes një loje vullnetarët e Kryqit të Kuq-dega Gjakovë u munduan të tregojnë vështirësitë e një vajze e cila përjeton dhunë. Mesazhi i saj ishte që vajza e dhunuar në shumicën e herëve bartet nga një institucion në tjetrin, pa zgjidhje. Përveç lojës nxënësit e shkollës “Nexhmedin Nixha” patën mundësi të dëgjojnë edhe një ligjëratë lidhur me shëndetin e organeve riprodhuese në raste fatkeqësie dhe dhunën seksuale, për të cilat disa nga vullnetarët nuk hezituan të flisnin.
Trajnime të tilla i mirëpresin edhe nxënësit, pasi që rrisin vetëdijen e tyre në këto tema të ndjeshme për shoqërinë.
Sipas sekretares së Kryqit të Kuq në Gjakovë, Fëllanza Bakija-Lama, projekti është implementuar në disa shkolla dhe kishte edhe mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo edhe ishte dita e fundit e këtij projekti i cili ka rezultuar mjaft i suksesshëm, ku nxënës të shkollave të ndryshme të Gjakovës janë informuar dhe edukuar sa i përket shëndetit të organeve riprodhuese dhe dhunës seksuale, cka nuk diskutohet shpesh në shkollat tona.