Kryeministri Albin Kurti, priti në takim ambasadoren e Emirateve të Bashkuara Arabe

Ambasadorja e uroi kryeministrin Kurti për fitoren mbresëlënëse dhe stabilitetin institucional që kjo fitore ka sjellë. Ajo theksoi mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për zhvillim ekonomik dhe integrimin në organizata ndërkombëtare. Ambasadorja shprehu vullnetin e EBA-së për të qenë pionier për investime në Kosovë, me fokus në industrinë ushqimore dhe turizmin malor.

Kryeministri Kurti vlerësoi përkrahjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për Kosovën, si një ndër vendet e para arabe që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai e falënderoi ambasadoren për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Republikës së Kosovës, veçanërisht për investimet e kaluara dhe ato të ardhshme për spitalet. Kryeministri theksoi nevojën për investime të cilat krijojnë vende të reja pune.

Në takim u vlerësuan raportet e mira mes dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë, në veçanti promovimin e investimeve të reja nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Republikën e Kosovës. Kryeministri dhe ambasadorja u pajtuan për organizimin e një konference të përbashkët për tërheqje të investimeve./eo/

Read Previous

Suksesi i gruas ndërmarrëse, Hidajete Tafa

Read Next

​Tahiri e quan të dobët Qeverinë Kurti