Rusia do të përdorte armë bërthamore vetëm kur ekziston një kërcënim për ekzistencën e vendit dhe jo si rezultat i luftës në Ukrainë. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai tha se: “Çdo rezultat i operacionit (në Ukrainë), natyrisht, nuk është një arsye për përdorimin e një arme bërthamore.”
“Ne kemi një koncept sigurie që thotë shumë qartë se vetëm kur ekziston një kërcënim për ekzistencën e shtetit, në vendin tonë, ne mund të përdorim dhe do të përdorim armët bërthamore për të eliminuar kërcënimin për ekzistencën e vendit tonë”, shtoi ai.
Peskov u pyet edhe për komentet e presidentit amerikan, Joe Biden që e quajti Vladimir Putin një “kasap” dhe deklaroi se presidenti rus nuk duhet të mbetet më në pushtet.
Ai tha se deklarata e Biden “është mjaft alarmante”, raporton CNN.
“Është fyerje personale,” tha Peskov. “Sigurisht, është krejtësisht e papranueshme. Nuk i takon Presidentit të Shteteve të Bashkuara të vendosë se kush do të jetë dhe kush është president i Federatës Ruse”, tha ai.
/GazetaSinjali/