Azemi: Buxheti i Kosovës nuk duhet të jetë vetëm i punëtorëve të sektorit publik
Ambasadorët e akredituar në Kosovë, të cilët morën pjesë në përpjekjen e 52-të për konstituimin e Kuvendit, e cila dështoi sërish, kanë shprehur zhgënjimin e tyre për ngërçin politik që po vazhdon.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha para mediave se kishin shkuar në Kuvend me shpresë për një zhvillim pozitiv.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish”, deklaroi ai.
Orav theksoi se është urgjente krijimi i institucioneve të reja.
“Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, tha ai.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh se politikanët po e zhgënjejnë popullin.
“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, theksoi ai.
Ndërkohë, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, bëri thirrje për unitet politik dhe gjetje të një zgjidhjeje para se të përfundojë afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka shkruar Hargreaves në një postim në “Facebook”.
Në reagimet e tyre, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, përmes një postimi në platformën “X”, shprehu shqetësimin për bllokimin politik.
“Së bashku me ambasadorë të tjerë, mora pjesë në seancën e sotme të Kuvendit. Bllokimi aktual po dëmton Kosovën”, shkroi ai, duke u bërë thirrje partive politike që të veprojnë sa më parë, pasi afati i vendosur nga Kushtetuesja skadon sot.