KQZ: Deri më 23 qershor partitë politike mund të formojnë koalicionet për zgjedhjet lokale

Partitë politike të regjistruara në Kosovë dhe që duan të marrin pjesë në Zgjedhje Lokale si koalicion, kanë afat që deri më 23 qershor 2025 ta njoftojnë KQZ-në për vendimin e tyre.

Aktualisht, sipas regjistrit zyrtar të KQZ-së, në Kosovë janë të regjistruara 53 parti politike.

Njoftimi paraprak i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes Koalicionit, është detyrim ligjor që del nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Përveç deklarimit të koalicionit, deri më 23 qershor 2025, partitë politike duhet të njoftojnë edhe për mospjesëmarrje në zgjedhje.

Këto detaje janë bërë të njohura nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim për Gazeta Express.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 23 qershor 2025 ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike se do të kërkojë certifikim përmes koalicionit”, tha Elezi.

Ai ka treguar edhe kufizimet që parasheh Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, pasi dy e më shumë parti politike formojnë koalicionin parazgjedhor.

“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen. Partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, deri më 23 qershor 2025 është afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

Në mbledhjen e mbajtur një ditë më herët, KQZ ka caktuar afatet e të gjitha aktiviteteve zgjedhore.

Read Previous

Trump: Brenda dy javësh do t’u dërgojmë vendeve letra për tarifat

Read Next

​Në Ditën e Çlirimit kujtohet veprimtaria e Rugovës dhe Demaçit