Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, është takuar këtë të premte me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilën kanë diskutuar për nevojën e ndryshmeve kushtetuese – të nevojshme për procesin e anëtarësimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian.
Opozita maqedonase, konkretisht partia më e madhe VMRO-DPMNE, deri më tani nuk i ka dhënë votat e ligjvënësve të saj për miratimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë të nevojshme, pasi që shumica aktuale nuk i ka 2\3 e votave çka do të mundësonin miratimin e këtyre ndryshimeve.
Por, përkundër kësaj, kreu i ekzekutivit maqedonas ka thënë se qeveria që ai udhëheqë nuk gjunjëzohet para diplomatëve për të kërkuar që ata të bëjnë presion ndaj opozitës për t’u siguruar votat e nevojshme për ndryshime kushtetuese.
Me Escobar-in, Kovaçevski tha te këtë biseduar për dëmin që mund të pasojë nga zvarritja e procesit të integrimit në BE.
“Situata për momentin është shumë e pastër dhe e qartë. Kemi mbështetje serioze edhe brenda vendit edhe jashtë për vazhdimin e integrimit evropian dhe me votimin e ndryshimeve kushtetuese ne vetë do ta bëjmë hapin e parë më tej” potencoi Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Escobar-in.
Bllokimi dhe zvarritja e këtij procesi, beson ai, “do të jetë vetëm e dëmshme dhe këtë mund ta konfirmojmë nga secila bisedë që e bëjmë me diplomatë të huaj, përfshirë edhe këtë”.
Tutje, ai shtoi se mesazhi i ShBA-së pas anëtarësimit në NATO është i qartë, se Maqedonia duhet të bëhet anëtare e BE-së, sepse siç tha ai “BE-ja është alternativa jonë e vetme”.
Ndarja e Maqedonisë së Veriut në këtë proces nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi, sipas tij do të sillte një situatë ku askush nuk do të garantonte më se si dhe në çfarë mënyre do të anëtarësohej shteti që ai përfaqëson në BE.
“Çdo rezultat tjetër në votimin e ndryshimeve kushtetuese do të nënkuptojë një të ardhme të pasigurt për vendin. Sot, nëse ndahemi nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, askush nuk na garanton se kur dhe në çfarë mënyre do të bëhemi anëtarë të BE-së. E ardhmja e qytetarëve nuk guxon të mbahet peng, sidomos pasi të jetë mbrojtur gjuha dhe identiteti maqedonas”.
Nga ana tjetër, top-diplomati amerikan, Maqedoninë e Veriut e cilësoi si mik “të vlefshëm” të shtetit që ai përfaqëson dhe anëtarë të vlefshëm të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në BE.
I pyetur për t’i komentuar deklaratat e liderit të opozitës, Hristijan Mickoski, se bota dhe Evropa po përgatisin presione dhe tortura për t’i bindur ata që të votojnë për amendamentet kushtetuese, ai pohoi se kjo vizitë nuk është për të torturuar askënd.
“Dua të filloj duke thënë se nuk jam këtu për të torturuar askënd. Dua ta bëj shumë të qartë se SHBA-ja nuk i zgjedh qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s, por ne caktojmë pritshmëri dhe njëra nga gjërat për të cilat do të flas është mesazhi i njëjtë të cilin e kam dhënë në gjithë rajonin; SHBA-ja i sheh si partner natyral ata që përkushtohen për integrimin evropian, janë të përkushtuar ndaj NATO-s dhe për të luftuar korrupsionin”.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, është duke qëndruar që nga e ënjta në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me krerët e shtetit, ndërsa pritet që të takohet edhe me liderin e opozitës Hristijan Mickoski.
Kjo vizitë e tij vjen vetëm një javë pas nisjes së procedurave për ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut (18 gusht).
Me miratimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese parashihet që të përfshihet pakica bullgare në preambulën e Kushtetutës së shtetit maqedonas, dhe kjo pas marrëveshjes me Bullgarinë, bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.
/albanianpost/