Kosova shënon Ditën Ndërkombëtare të Akreditimit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës (DAK), ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Akreditimit, nën moton “Akreditimi – Fuqizimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme”.

Ngjarja mblodhi përfaqësues institucionalë, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të bizneseve, me qëllim të theksimit të rëndësisë së akreditimit për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë në sektorin privat, veçanërisht te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NMVM).

Në hapje të aktivitetit mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  Rozeta Hajdari. Ministrja Hajdari theksoi se akreditimi luan rol kyç në rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve vendore, duke ndihmuar ndërmarrjet të jenë më konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

“Akreditimi është shtylla e një infrastrukture që garanton produkte dhe inovacione, duke promovuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë,” tha ajo.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë,  Johannes Stenbaek Madsen, nënvizoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Kosovën në forcimin e infrastrukturës së cilësisë dhe për të krijuar kushte më të mira për zhvillim.

“Gjatë dhjetë viteve të fundit, eksportet e Kosovës kanë treguar një model të qartë të diversifikimit të qëndrueshëm, duke konfirmuar se sipërmarrësit kosovarë mund të jenë konkurrues kur u ofrohen kushtet e duhura,” tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i DAK-ut, Irfan Lipovica, tha se janë duke punuar në bashkëpunim me ekspertë për të përmirësuar shërbimet.

“Ndërmarrjet e vogla janë promotorë të zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës. Ne po punojmë që këto shërbime të përmirësohen në arenën ndërkombëtare përmes akreditimit,” shtoi ai.

Aktiviteti vazhdoi me prezantime dhe diskutime rreth rëndësisë së akreditimit në sektorët e ndryshëm, si dhe sfidave dhe mundësive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë./rtklive

Read Previous

Për 24 orë u shqiptuan 1577 gjoba në trafik

Read Next

Zemaj thotë se vetëm konsensusi mes partive e zgjidh ngërçin politik