Kosova refuzon t’ia japë Serbisë provat për Radoiqiçin

Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Serbisë drejtuar autoriteteve kosovare për bashkëpunim juridik rreth rastit të sulmit të armatosur të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, dhe dhënien e provave për kryebanditin serb, Millan Radoiçiç, ndaj të cilit ekziston edhe një fletarrest ndërkombëtar.

Ministria e Drejtësisë (MD), në një përgjigje për televizionin kosovar “Dukagjini” të mërkurën, ka deklaruar se kërkesa e Serbisë është në kundërshtim me ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale: “Vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Kosovës”.

MD-ja gjithashtu ka theksuar se ka qenë Serbia ajo që ka refuzuar fillimisht kërkesën e Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike për grumbullimin e provave, duke qenë se anëtarët e grupit terrorist që kanë sulmuar Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të vendit, në bazë të dyshimeve të autoriteteve kosovare, janë trajnuar e armatosur në territorin e Serbisë.

“Serbia duhet t’i përgjigjet kërkesave për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës. Po ashtu duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar në raport me bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”, ka nënvizuar ndër të tjera MD-ja në përgjigje.

Ndryshe, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” të martën, ka thënë se shpreson që autoritetet kosovare t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së palës serbe për ndihmë juridike reciproke, në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme për të ndjekur penalisht Radoiçiçin për terrorizmin e vitit të kaluar në Kosovë./Albaninapost.com

Read Previous

Shuhen zjarret në Prevallë

Read Next

Trump: Nëse humbas zgjedhjet, do të largohem nga SHBA-ja dhe do të shkoj në Venezuelë