Kosova pranohet në Asociacionin e Sporteve të Doganave Evropiane

Republika e Kosovës është pranuar në Asociacionin e Sporteve të Doganave Evropiane (“European Customs Sports Association”, ECSA). Kështu ka informuar sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, me ç’rast ka bërë të ditur se Presidenti i këtij asociacioni, Jan Hlinka, përmes njoftimit zyrtar ka informuar dje Ambasadën tonë në Bruksel për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në ECSA.

“Kam kënaqësinë e madhe t’ju informoj se në Mbledhjen e Përgjithshme të Asociacionit të Sporteve të Doganave Evropiane, është miratuar aplikacioni i Kosovës për anëtarësim. Jam i kënaqur të mirëpres Doganën e Kosovës në familjen tonë”.

ECSA, e cila kryesohet nga Republika Çeke, është organizatë ndërkombëtare që përfaqëson administratat doganore evropiane, dhe këtë vit feston 30-vjetorin e themelimit të saj. Me Republikën e Kosovës si anëtaren më të re, ECSA numëron 24 anëtarë: Austri, Belgjikë, Republika Çeke, Qipro, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Hungari, Irlandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegjia, Polonia, Sllovakia, Suedia, DG Taxud, Turqi dhe Mbretëri e Bashkuar.

Qëllimi i ECSA është të forcojë lidhjet midis administratave doganore evropiane duke inkurajuar dhe organizuar aktivitete të përbashkëta sportive, duke promovuar bashkëpunimin sportiv dhe kulturor, si dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet zyrtarëve doganorë.

Anëtarësimi në këtë organizatë, siç ka potencuar MPJD, është i rëndësishëm për KosovëN, pasi zyrtarët e saj doganorë tani e tutje do të marrin pjesë në aktivitetet e këtij asociacioni, bashkë me kolegët e administratave doganore të vendeve të ndryshme evropiane.

Aplikimi i Republikës së Kosovës është bërë në muajin shtator 2022, në përvjetorin e 23-të të themelimit të Doganës së Kosovës.

“Gjersa e veçanta e këtij anëtarësimi është se Dogana e Kosovës është e para administratë doganore nga Ballkani Perëndimor që bëhet anëtare në ECSA, si anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta në mesin e administratave doganore evropiane.”, ka shtuar MPJD./KosovaPress

Read Previous

Shqipëria bëhet pjesë e Mbrojtjes Civile të BE-së, Varhelyi: Një tjetër hap i madh

Read Next

Sqarohet Kuvendi i Kosovës: Deputetët e dorëhequr s’marrin më paga