Kosova padit Malin e Zi, kërkon kthimin e 172 pronave, 42 prej të cilave gjenden në Mal të Zi

Vijesti shkruan se Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka ngritur padi kundër Komunës së Budvës, në Mal të Zi dhe kompanisë “Sunraf Beach Areas”, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren “Rafailoviq”, vend ku dikur ishte vendosur një vendpushim për fëmijë.

Sipas Vijestit, Komuna e Budvës e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës, i kryesuar nga Nikola Plamenac, kundërshtoi procesin gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë atë si të parregullt.

Në padinë që ka ushtruar Ministria e Drejtësisë së Kosovës thuhet se ata kanë blerë vendpushimin me emrin “Ganimete Tërbeshi”, gjashtë dekada më parë.

Padia për përcaktimin e të drejtave pronësore, u paraqit në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

Ministria e Drejtësisë të Kosovës, po kërkon që gjykata e Kotorrit të lëshojë një masë të përkohshme që ndalon hedhjen dhe tjetërsimin e tokës deri në përfundimin e mosmarrëveshjes gjyqësore.

Vendpushimi më vonë u emërua “Lahor”, sipas ndërmarrjes me të njëjtin emër nga Prishtina.

Pas luftës së fundit në Kosovë, selia e ndërmarrjes nga Prishtina u zhvendos në Malin e Zi dhe më pas u privatizua ose u shit.  Ndërtesa e rrënuar e ish-vendpushimit u shkatërrua dhe filloi ndërtimi i një ndërtese shumëkatëshe.

Institucionet e Kosovës në padi theksojnë se janë pronar të pronës së përmendur dhe si provë kanë bashkëngjitur një marrëveshje blerjeje të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut në Kotor, kur ngastra prej 4,555 metra katrorë ishte blerë.

Nga Komuna e Budvës thanë se nga provat e bashkëngjitura nga pala kosovare nuk është e mundur të nxirret një përfundim i sigurt në lidhje me ekzistencën e kartës identifikuese aktive të paditësit në lidhje me parcelat e diskutueshme.

“Çështja nëse paditësi është pasardhës i SAP Kosova, nuk është subjekt i së drejtës private ndërkombëtare, por është një çështje e karakterit të së drejtës publike ndërkombëtare dhe Gjykata nuk është kompetente për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetje”, thuhet në përgjigjen e padisë.

Komuna tutje është e mendimit se pretendimi nuk ka asnjë bazë ligjore.

“Të gjitha dekretet, urdhrat dhe rregulloret e tjera të lëshuara nga UNMIK, si Administratë e Përkohshme e Misionit të KB në Kosovë, nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, veçanërisht në mosmarrëveshjet në lidhje me blerjen, përfundimin, përmbajtjen dhe ushtrimin e të drejtave reale të pronave të paluajtshme, sepse në atë rast, ligji i zbatueshëm është ai i shtetit në të cilin ndodhet çështja ”, thuhet në këtë përgjigje.

Qeveria e Kosovës po kërkon kthimin e 172 pronave, nga të cilat 42 të paktën janë në Mal të Zi./GazetaSinjali

Read Previous

​Rasti i Pjetër Shalës në Speciale, gjykata urdhëron prokurorinë të dorëzojë dosjen deri më 19 nëntor

Read Next

Hapet thirrja publike për subvencionim të shpeztarëve