Në prag të dy vjetorit të dorëzimit të aplikimit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, autoritetet e Kosovës kanë theksuar sërish rëndësinë e pranimit të pyetësorit nga Komisioni Evropian, i cili është hapi i parë zyrtar në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bazë të një komunikate të lëshuar nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në kuadër të një takimi që ka pasur më 3 dhjetor me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave dhe rrjedhimisht, duhet të fitojë sa më parë statusin e vendit kandidat.
“Kurti nënvizoi se të gjithë faktorët janë tregues të zhvillimit e progresit të vendit dhe gatishmërisë për hapa të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, në një proces të bazuar në meritokraci. Kësisoj, ai rikujtoi rëndësinë e ofrimit sa më shpejtë të pyetësorit dhe vendit kandidat si rezultat, pasi Kosova është demokracia me e zhvilluar e rajonit”.
Gjithashtu, kreu i ekzekutivit kosovar ka kërkuar mbështetje nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, duke shprehur përkushtimin e Kosovës në realizimin e reformave evropiane dhe rreshtimin e plotë me politikat e BE-së. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja në qershor të vitit të kaluar.
“Përkushtimi i Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe linjëzimi i plotë me vlerat dhe politikën e jashtme të BE-së meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, teksa po i afrohemi 2-vjetorit të dorëzimit të aplikimit për anëtarësim. Gjithashtu, ai bëri thirrje për largimin e masave ndaj Kosovës”.
E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me kryetaren e Parlamentin Evropian, Roberta Metsola, të mërkurën në Bruksel, derisa ka riafirmuar përkushtimin e vendit për të arritur objektivat e integrimit, ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Ajo riafirmoi përkushtimin e Kosovës për të arritur objektivat e saj të integrimit evropian dhe kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe largimin e masave, të cilat më së shumti po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës”, ka njoftuar mes tjerash presidenca kosovare më 4 dhjetor.
Kosova, pavarësisht vrullit në procesin e zgjerimit për shkak të agresionit rus në Ukrainë, ka shënuar progres të kufizuar drejt integrimeve. Në bazë të rregullores, detyrën për ta ekzaminuar aplikimin e një vendi e ka presidenca e Këshillit të BE-së.
Që prej kohës kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit 2022, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin e Kosovës, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar, kryesisht për shkak të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Polonia do ta ketë presidencën e Këshillit të BE-së përgjatë gjysmës së parë të vitit 2025. E në bazë të autoriteteve polake, një ndër prioritetet gjatë udhëheqjes së Polonisë, përveç Ukrainës dhe Moldavisë, do jetë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe, pyetësori i KE-së trajton tre fusha kryesore Kopenhagë, 1993: kriteret politike – stabiliteti demokratik, shteti i së drejtës, respektimi dhe mbrojtja e pakicave; kriteret ekonomike – kapaciteti për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut në BE; dhe kriteret acquis – aftësia për të marrë dhe zbatuar obligimet ndaj BE-së.
Në procesin e zgjerimit ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e kandidatit, ndërsa sanksionet e vendosura nga BE-ja vitin e kaluar, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, nuk mund të injorohen./Albanianpost.com