Kosova kërkon pyetësorin e anëtarësimit mes porosive të përsëritura të BE-së

Kosova ka intensifikuar thirrjet drejt Bashkimit Evropian (BE) për të përshpejtuar procesin e shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar të shtunën se angazhimi i vendit për zhvillim, demokraci dhe integrim duhet të shpërblehet me sigurimin e statusit të vendit kandidat në BE.

E rëndësinë e pranimit të pyetësorit nga Komisioni Evropian (KE), i cili është hapi i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit, kryeministri Kurti e ka theksuar pas takimit me presidenten e KE-së, Ursula Von der Leyen, nga e cila ka kërkuar edhe heqjen e masave ndëshkuese të vendosura kundër Kosovës më shumë se një vit më parë.

“Unë ritheksova rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe kërkova heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave të padrejta të BE-së”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit. Von der Leyen, nga ana tjetër, nuk i ka adresuar kërkesat e autoriteteve kosovare, por e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për sukseset ekonomike të Kosovës.

“Urime për sukseset mbresëlënëse ekonomike të këtyre viteve të fundit. Jemi krenarë që ju mbështesim. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku hap pas hapi për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka shkruar Von der Leyen në platformën “X” të shtunën.

Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku 27-shtetesh nuk e ka shqyrtuar akoma. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që prej kohës kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar deri tani.

Këshilli i BE-së duhet të shqyrtojë aplikimin e një vendi dhe t’i japë mandat KE-së për të analizuar nëse ai vend përmbush apo jo kushtet për të fituar statusin e kandidatit. Pra, pyetësori është një instrument formal përmes të cilit vlerësohet gatishmëria e një vendi për të ecur përpara, përkatësisht për të pranuar statusin e vendit kandidat.

Ndryshe, pyetësori i KE-së trajton tre fusha kryesore (Kopenhagë, 1993): kriteret politike – stabiliteti demokratik, shteti i së drejtës, respektimi dhe mbrojtja e pakicave; kriteret ekonomike – kapaciteti për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut në BE; dhe kriteret acquis – aftësia për të marrë dhe zbatuar obligimet ndaj BE-së.

Në procesin e zgjerimit ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e kandidatit, ndërsa sanksionet e vendosura nga BE-ja vitin e kaluar, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, nuk mund të injorohen./Albanianpost.com

Read Previous

Zhduket një tjetër turist në Alpet shqiptare

Read Next

A kërcënohet demokracia pas zgjedhjeve në Austri?