Federata e Pingpongut e Kosovës njofton se përgatitjet për garat e mëdha WTT Youth Contender 29 maj – 1 qershor dhe WTT Feeder Prishtina 3 – 7 qershor janë në fazën përfundimtare.
Mysafirët e parë nga Koreja dhe Japonia tashmë kanë arritur, ndërsa mbikëqyrësja e ngjarjes, Nikoleta Stefanova, po qëndron në Kosovë për të ndjekur nga afër përgatitjet dhe për të koordinuar detajet e fundit.
“Salla e madhe sportive në Pallatin e Rinisë po merr pamjen përfundimtare përderisa e gjithë hapësira po përgatitet me kujdes maksimal, në përputhje të plotë me standardet e World Table Tennis”, njofton kjo federatë.
Ky super event, thuhet në njoftim, pritet të sjellë në Prishtinë mbi 600 sportistë nga 45 shtete, përfshirë edhe 12 vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, një mundësi e madhe për afirmim ndërkombëtar dhe diplomaci sportive. /RTKlive