Kos, Kurtit: Po presim qeverinë e re

Komisionerja e Zgjerimit e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në një fjalim rasti në hapjen e samitit e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në kuadër të përpjekjeve për përshpejtimin e zbatimit të Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027 – i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili po përfaqëson Kosovën në këtë samit, duke kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Ne po presim qeverinë e re z.Kurti”, tha ajo shkurtimisht.

Ndryshe më 1 korrik, afro pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, deputetët e legjislaturës së nëntë për të 40-tën herë me radhë do të bëjnë përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në mungesë të një marrëveshjeje midis partive politike për zhbllokimin e ngërçit politik, karrigia e kryetarit të Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë vakant. Albulena Haxhiu, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryekuvendare po dështon t’i marrë votat e nevojshme.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari – deputeti më i moshuar i legjislaturës së nëntë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – po insiston që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës të bëhet përmes votimit të fshehtë.

Dehari po tenton ta ndryshojë formën e votimit pas disa përpjekjeve të dështuara për të votuar Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës me votim të hapur.

Megjithatë ky tentim i tij po hasë me kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe, të cilat po refuzojnë që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Vazhdimi i seancës pason takimin konsultativ të së shtunës ndërmjet krerëve të partive politike parlamentare, i cili nuk ka prodhuar ndonjë rezultat për zgjidhjen e ngërçit politik, dhe pas aktvendimit të shpallur të enjten nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i cili i obligon deputetët kosovarë ta përmbyllin procesin e konstituimit deri më 26 korrik.

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për keqinterpretim të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese rreth procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke vazhduar të insistojë në krijimin e një komisioni të posaçëm për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë.

E partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë kanë akuzuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për mungesë të vullnetit për kompromis dhe për këmbëngulje në formatin e vjetër të seancave. Ata kanë kërkuar votim të hapur për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, duke përjashtuar emrat që kanë qenë në kabinetin qeveritar.

LVV-ja ka paraqitur një propozim për tejkalimin e krizës, sipas të cilit, nëse kandidatja e saj për kryeplamentare, Albulena Haxhiu, nuk arrin të sigurojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve në votimin e fshehtë, atëherë ajo do të tërhiqet përfundimisht nga kandidatura për ta zënë karrigen e kryetares së Kuvendit të Kosovës./Albanianpost.com

Read Previous

Kurti në takim me liderët e Ballkanit: Kemi interes të përbashkët

Read Next

KQZ-ja pubikon listën me 945 Qendra të Votimit për zgjedhjet e 12 tetorit