Konjufca pret në takim Shefin e Zyrës së BE-së: Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur këtë të martë në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë takim Konjufca ka deklaruar se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përmbyllet me marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër.

Po ashtu thuhet se janë shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet aktuale politike, aktivitetin dhe prioritetet e Kuvendit, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe agjendën evropiane të Republikës së Kosovës.

“Kryetari Konjufca dhe ambasadori Szunyog shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në funksion të mbështetjes së Kuvendit dhe trupave të tij”, thuhet në komunikatën për media.

/Telegrafi/

Read Previous

Përse nuk parashikohen tërmetet?

Read Next

Apple mund të prezantojë një iPhone edhe më të shtrenjtë në vitin 2024, modeli i quajtur ‘Ultra’