Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij, në shënimin e një vjetorit të vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ka thënë se ai është hero i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit dhe të paprekshmërisë territoriale të Kosovës.
Konjufca theksoi se Bunjaku dha shembullin më të vyer se si duhet të veprohet kur atdheu rrezikohet e kërcënohet.
“Ai e la shembullin më të vyer edhe për vëllezërit e motrat e tij që e vazhdojnë detyrën në Policinë e Kosovës se si duhet të veprojë njeriu në momentet vendimtare kur e kërkon shteti dhe Republika”, ka thënë ai.
“Ne do ta kujtojmë gjithmonë Afrim Bunjakun”, shtoi ai, njësoj “siç e kujtojmë edhe Enver Zymberin i cili ra për të njëjtin qëllim trembëdhjetë vjet më përpara, këto janë idealet të cilat i kultivojmë dhe i ushqejmë heronjtë tanë e të cilët ne nuk do t’i harrojmë kurrë”.
“Lavdi Afrim Bunjaku, lavdi Enver Zymberit dhe lavdi të gjithë atyre që e dhanë jetën për lirinë dhe në mbrojtje të territorit dhe të tokave tona të shenjta”, ka shtuar Konjufca.
Një pjesë e krerëve të shtetit kanë bërë homazhe në nderim të rreshterit të vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit. /Albanianpost.com