“Konfiskimi i aseteve ruse mund të sjellë rezultate të padëshiruara”

Credit: Jean Luc Flemal

Shefja Ekzekutive e Euroclear-it, Valerie Urbain paralajmëroi për pasoja të padëshiruara nëse Bashkimi Evropian do të konfiskonte asetet e ngrira nga banka qendrore e Rusisë.

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump po i bën presion Ukrainës që të negociojë me Rusinë dhe disa opsione për paqen do të vijnë me rreziqe, tha Urbain për Bloomberg në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të premten.

Asetet e ngrira të Rusisë mund të jenë një element në negociata, shtoi ajo, duke pranuar se disa zyrtarë janë të interesuar për të çuar përpara një konfiskim të mundshëm.

“Gjithmonë mund të ketë edhe kundërmasa nga Rusia të cilat mund të destabilizojnë më tej tregjet financiare”, pohoi Urbain.

Kompania financiare me bazë në Bruksel mban pjesën më të madhe të aktiveve të bankës qendrore ruse që janë ngrirë nën sanksionet e BE-së dhe vendeve të G7-ës.

Urbain theksoi rëndësinë e transferimit jo vetëm të aktiveve, por edhe të detyrimeve, në rast të konfiskimit nga vendet anëtare të BE-së për të mbrojtur Euroclear-in nga pretendimet e mëvonshme nga Rusia.

“Ne kemi parë rastin e aseteve iraniane 20 vjet më vonë”, tha Urbain. “Kështu që unë mendoj se kjo nuk është diçka që është teorike”.

Komisioneri i Ekonomisë i BE-së, Valdis Dombrovskis tha në dhjetor se blloku duhet të konsiderojë marrjen e hapave përtej ngrirjes së aseteve, duke përfshirë mundësisht sekuestrimin e tyre për të kompensuar Ukrainën për dëmin nga pushtimi rus.

Deri më tani, BE-ja ka përdorur vetëm fitimet e krijuara nga asetet e sanksionuara ruse për të ofruar ndihmë për Ukrainën, pasi konfiskimi i plotë mbetet shumë më i diskutueshëm sipas ligjit ndërkombëtar.

Sipas një plani të G7-ës, aleatët e Kyiv-it miratuan një mekanizëm ku fitimet përdoren për të mbështetur një paketë kredie prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën. /Albanianpost.com

Read Previous

Çfarë është Pantsir-S1?

Read Next

Analistja amerikane parashikon që mund të ketë eskalim në Ballkan