Komuna e Gjakovës sot në ditën ndërkombëtare të gruas nderoi 10 gra të fuqishme të komunës sonë. Kryetari i komunës Ardian Gjini së bashku me kryesuesen e kuvendit, Arbnesha Kuqi dhe me udhëheqësen e zyrës për barazi gjinore, Lumnije Shllaku ndanë mirënjohje dhe dhurata simbolike për këto gra. Kryetari Gjini tha se të gjitha këto gra janë këtu falë kontributit të tyre, sidhe theksoi rëndësinë e gruas si shtyllë e fuqishme në shoqërinë tonë.
Kryesuesja e kuvendit Arbnesha Kuqi i uroi të gjitha gratë për këtë festë, ndërsa të pranishmeve i’u drejtua me fjalët “Ndihem e vogël pranë jush sot”.
Edhe Lumnije Shllaku udhëheqësja e zyrës për barazi gjinore në komunën e Gjakovës i’u falenderua grave të pranishme duke ju thënë që janë ato që e kanë bërë historinë.
Gratë të cilat sot u nderuan nga Komuna e Gjakovës ishin; Fehmije Mushkolaj, Luljeta Pula, Teuta Hadri, Vjosa Dobruna , Atifete Jahjaga, Afijete Sada, Iliriana Zhubi, Shahe Isafi, Diana Shaka, dhe Gonxhe Xhiha Basha. Këto mirënjohje kushtuar kontributit të tyre u vlerësuan shumë nga ato.
E në ditën ndërkombëtare të gruas, mijëra gra luftojnë për të drejtat e tyre, dhe në shumë vende të botës sot protestohet. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi.