Komisioni Evropian propozoi rregulla të reja për luftën kundër korrupsionit në BE dhe jashtë tij, si dhe zgjeroi përkufizimin dhe sanksionet për korrupsionin.
Komisioni kërkon të përfshijë përvetësimin, shitjen e ndikimit, shpërdorimin e pozitës, pengimin e drejtësisë dhe pasurimin e paligjshëm në akte korruptive.
Standardizimi i përkufizimeve ligjore dhe sanksioneve do të ndihmonte hetimet ndërkufitare, tha Komisioni.
Sipas propozimit, për të cilin fjalën e fundit e kanë Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, shtetasit e huaj do të ndëshkohen me sanksione për korrupsion.
Personave, pavarësisht nga shtetësia, që janë në listën e të sanksionuarve për vepra të rënda korrupsioni, do t’u ngrihet pasuria në BE dhe do t’u ndalohet hyrja në territorin e Unionit.
“Korrupsioni është si kanceri dhe si me trajtimin e kësaj sëmundjeje, ne duhet të përmirësojmë parandalimin. Duhet të kemi gjithashtu instrumente të forta të shtypjes dhe ndëshkimit të korrupsionit – jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel evropian”, tha Vera Jourova, Nënkryetare e Komisionit për Transparencë dhe Vlera.
Sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, korrupsioni është një fenomen global, transnacional, që vlerësohet të kushtojë të paktën pesë për qind të PBB-së globalisht.
“Prandaj, paralelisht me iniciativat e Komisionit për të forcuar luftën kundër korrupsionit brenda BE-së, unë propozoj vendosjen e një regjimi të ri sanksionesh nën Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë që synon akte serioze korrupsioni në mbarë botën, për të plotësuar mjetin tonë të jashtëm kundër korrupsionit”, tha Borrell. /Albanianpost.com