KOMF: Fëmijët nuk mbrohen me fjalë, kërkohen veprime konkrete

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka ngritur alarmin, për si thonë ata, gjendjen e rëndë të të drejtave të fëmijëve në vend dhe kërkoi reforma urgjente në të gjithë sektorët që prekin jetën e tyre.

“Fëmijët përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, por përballen me një sistem të brishtë të mbrojtjes sociale. Shërbimet sociale dhe skemat e ndihmës vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme dhe diskriminuese, veçanërisht për fëmijët 16-18 vjeç që përjashtohen nga përfitimet. Financimi i pamjaftueshëm rrezikon ndërprerjen e shërbimeve për fëmijë”, thuhet në letrën e tyre.

Sipas kësaj organizate, 72% e fëmijëve përjetojnë dhunë në familje, 600 janë pa kujdes prindëror dhe 5% janë të përfshirë në punë të rënda. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, megjithëse në fuqi prej 2020, ende nuk po zbatohet si duhet.

Vetëm 15% e fëmijëve 3–4 vjeç ndjekin edukimin parashkollor. Arsimi përballet me sfida të mëdha – rezultatet e Testit të Arritshmërisë janë të ulëta, përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara është e vogël dhe vetëm gjysma e shkollave ofrojnë qasje për ta.

“Në shëndetësi, mungesa e sigurimeve dhe shërbimeve për shëndetin mendor janë evidente, me vetëm 7 psikiatër për fëmijë në të gjithë vendin. Përdorimi i drogës nga të miturit është në rritje, ndërsa mungojnë programet parandaluese dhe rehabilituese. Delinkuenca e të miturve gjithashtu po rritet, me mbi 3,000 raste të reja vetëm në vitin 2024”, thuhet tutje në këtë letër. /RTKlive

KOMF kërkon masa urgjente, përfshirë:

•           Reformë të skemave sociale dhe eliminim të kritereve diskriminuese;

•           Ligje dhe politika për mbrojtjen e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara;

•           Themelim të shërbimeve parandaluese dhe rehabilituese për drogën;

•           Investime në edukimin parashkollor dhe përmirësim të cilësisë në arsim;

•           Shtim të stafit mbështetës në shkolla dhe shërbimeve për shëndetin mendor;

•           Ndërtimin e qendrave për fëmijët në konflikt me ligjin.

Read Previous

Ter Stegen drejt largimit nga Barcelona

Read Next

“Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë mund të jenë zgjidhja ndaj ngërçit politik”