Komandanti amerikan i Komandës Rajonale Lindje, Peter Helzer, ka thënë se situata në veriun e Kosovës është e qetë, mirëpo e brishtë.
KFOR-i është gjithandej përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Situatën këtu, komandanti amerikan i Komandës Rajonale Lindje, Peter Helzer, e vlerëson të qetë, por të brishtë.
Koloneli Helzer, thotë se për shkak të mungesës së një epilogu të çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, rreziku i përshkallëzimit në këtë zonë është çdo herë prezent.
“Është një zonë e prirë ndaj përshkallëzimeve të papritura dhe të mundshme, për shkak të çështjeve të pazgjidhura dhe një sërë sfidash, shpesh të zmadhuara nga retorika nxitëse dhe dezinformimi”, shprehet ai për TËVË1.
Në gjithë vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, koloneli Helzer tregon se KFOR-i e ka shtuar prezencën.
“NATO vendosi deri në 1000 trupa shtesë në Kosovë dhe ne e rritëm pozicionin tonë në veri të Kosovës. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit tonë në një dekadë. Aktualisht, forca e KFOR-it është më shumë se 4700 trupa, nga 33 shtete, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Komandanti i KFOR-it e ka fleksibilitetin për të përdorur asetet e KFOR-it për të adresuar çdo kërcënim në mënyrën më efektive”, thotë komandanti i KFOR-it.