Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, ka vlerësuar se bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropës, duke injoruar opinonin e Asamblesë Parlamantare të Këshillit të Evropës, ka qenë një nga vendimet më të këqija të politikës së jashtme të Gjermanisë.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 2022. Por, ajo ndodhet në vendndalim për shkak të dialogut me Serbinë. Gjermania, Franca dhe Italia kanë kushtëzuar vendin e vogël të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për të siguruar mbështetjen e nevojshme në Komitetin e Ministrave.
“Ky ka qenë një nga vendimet më të këqija të politikës së jashtme të Gjermanisë në vitet e fundit: ajo ka minuar Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës duke injoruar një konsensus dërrmues ndërpartiak e ndërshtetëror; ajo ka minuar besueshmërinë e proceseve evropiane të bazuara në merita”, ka shkruar Knaus.
“Kosova në Këshill të Evropës do jetë në dobi të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë edhe minoritetet. Ky gabim mund dhe duhet të korrigjohet”, ka theksuar Knaus, duke pasur parasysh se pavarësisht rekomandimit të organit legjislativ të organizatës, anëtarësimi i Kosovës vazhdon të jetë jashtë axhendës së Komitetit të Ministrave.
Gjermania, Franca dhe Italia kanë deklaruar se sapo të jetë ndërmarrë hapi i parë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës mund të vendoset në axhendën e Komitetit të Ministrave me një perspektivë të mjaftueshme për një shumicë prej 2/3 midis shteteve anëtare. /Albanianpost.com