Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, konsideroi se pavarësisht faktit se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave këtë javë, ende ekziston një rrugë e mirë përpara që vendi të anëtarësohet në këtë organizatë të rëndësishme.
“Përkundër disa raporteve pesimiste, ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës së shpejti. Kjo kërkon lidership, ashtu siç kërkon çdo përparim në politikë. Dhe një referencë të qartë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës që zbatohen për të gjitha shtetet anëtare. As më shumë, as më pak”, theksoi ai, por pa dhënë detaje.
Në bazë të agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin pranveror më 17 maj 2024 që përkon me 75-vjetorin e themelimit të organizatës kryesore të kontinentit evropian për të drejtat e njeriut, por Kosova nuk është në agjendë.
Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Por nuk janë përfaqësuesit e popullit ata që e japin fjalën e fundit, por ministrat e jashtëm. /Albanianpost.com