Klinaku: Jemi këtu për njerëzit që nuk ia dinë vlerën lirisë, përfshirë edhe ministrat

Ka filluar protesta e OVL – UÇK-së në sheshin Ibrahim Rugova e cila po mbahet në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë.

Në aksionin protestues përmes artit ‘Me ju çlirimtarë’, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, në një deklaratë për media tha se ndonëse kanë kaluar 22 vite që nga çlirimi dhe 13 vite që nga shpallja e pavarësisë, janë shqiptarët ata që po akuzohen për krime lufte, e jo serbët që kanë kryer masakra ndaj shqiptarëve.

“Që nga përfundimi i luftës, por edhe pse u bënë 13 vite që Kosova është shtet i pavarur, populli i përball me shumë sfida. UNMIK-u kishte mandat që t’i gjykonte krimet e kryera në Kosovë, por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarët. EULEX-i kishte për detyrë t’i gjykonte krimet e kryera në Kosovë, por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarët. Gjykata speciale gjykon vetët shqiptaret por jo masakrat e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve”, deklaroi Klinaku.

Tutje ai ka shtuar se akuzat e bëra ndaj themeluesve dhe udhëheqësve të UÇK-së janë si rezultat i  ‘pseudo drejtësisë’ ndërkombëtare.

Themeluesit e udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa e Pjetër Shala gjenden prapa grilave në Hagë. Për shkak të padrejtësive që bëhen, OVL e UÇK-së ka qenë kundër pseudo drejtësisë ndërkombëtare dhe vazhdimisht ka kërkuar që me krimet e luftës të merret një gjykatë vendore”, shtoi ai

Klinaku krejt në fund tha se kjo protestë u organizua pikërisht për shkak të fyerjeve të bëra ndaj UÇK-së, përfshirë edhe nga ministrat e qeverisë.

 “Ky aktivitet u organizua për njerëz që nuk ia dinë vlerat lirisë, ndër ta edhe ministrat e Qeverisë”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/

Read Previous

Këta janë 9 futbollistët shqiptarë që marrin pjesë në Kampionatin Evropian

Read Next

Pse u kërcënua U.D i kryeshefit të Postës