OpenAI prezanton inteligjencën artificiale të mjekësisë – çfarë duhet të dini
Tregtia e jashtme e Shqipërisë ka vijuar trendin rritës në muajin mars, duke reflektuar zgjerim të mëtejshëm të importeve dhe një rol gjithnjë e më të dukshëm të Kinës në strukturën e partnerëve tregtarë.
Sipas raportit të publikuar nga Instat për muajin mars 2026, eksportet arritën në 32,7 miliardë lekë, duke u rritur me 4,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 5,6 për qind krahasuar me shkurtin.
Importet u ngjitën në 80,3 miliardë lekë, me një rritje prej 8,8 për qind në bazë vjetore dhe 17,9 për qind krahasuar me muajin pararendës, ndërsa deficiti tregtar arriti në 47,6 miliardë lekë, duke u zgjeruar ndjeshëm si në krahasim vjetor, ashtu edhe mujor.
Në këtë zhvillim, një nga elementët më domethënës mbetet rritja e importeve nga Kina.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importet nga ky vend u rritën me 33,3 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar, duke e renditur Kinën ndër partnerët me rritjen më të fortë në furnizimin e tregut shqiptar.
Ky trend konfirmon një prirje të vërejtur edhe në muajt e parë të vitit, ku pas një janari me rënie të përgjithshme të tregtisë, shkëmbimet kanë hyrë në fazë zgjerimi, të udhëhequr kryesisht nga importet.
Të dhënat e marsit tregojnë gjithashtu ndryshime në strukturën e tregtisë. Eksportet janë rritur kryesisht falë mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, si dhe makinerive dhe pajisjeve, ndërsa sektorë si tekstilet, këpucët dhe ushqimet kanë pasur ndikim negativ në performancë.
Në anën e importeve, rritja është nxitur kryesisht nga makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit, si dhe nga ushqimet dhe materialet e ndërtimit, duke reflektuar një kërkesë të brendshme më të lartë dhe investime në rritje.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke përbërë 55,2 për qind të shkëmbimeve totale. Në mars, eksportet drejt vendeve të BE-së zinin 69,4 për qind të totalit, ndërsa importet 49,5 për qind. /Albanianpost.com