Kur fushata ajrore e NATO-s mbi objektivat serbe ndaloi, presidenti i SHBA-së Bil Clinton, i tha qytetarëve amerikanë se “është shënuar fitore për një botë më të sigurt, për vlerat demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”.
Qindra mijëra qytetarë shqiptarë u rikthyen në shtëpitë e tyre në një Kosovë të rrënuar, me mijëra viktima dhe të zhdukur. Aleanca shënoi, atëbotë në 50 vjetorin e themelimit të saj, një histori të veçantë, të ndërmarrjes së një operacioni të ndërlikuar ushtarak që të ndalonte fushatën, që e cilësoi, spastrim etnik nga forcat serbe të sigurimit.
Mbi 1000 avionë ushtarakë të Aleancës kryen për 78 ditë të fushatës, rreth 38.000 fluturime nga të cilat mbi 10.000 fluturime sulmi pa viktima në mesin e tyre. Aleanca shkatërroi objektiva të rëndësishme ushtarake e policore serbe, sisteme mbrojtëse ajrore dhe infrastrukturë të energjisë dhe komunikimit serb.
Kur forca paqeruajtëse e NATO-s hyri në Kosovë në qershor të vitit 1999 mbi 40.000 forca serbe u detyruan të largohen pas marrëveshjes tekniko-ushtarake të arritur në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut dhe pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në Kosovë u vendosën fillimisht 50.000 trupa të NATO-s që mision kishin ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit që shtrihej përtej në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Aktualisht në Kosovë janë rreth 4.500 trupa, që u përforcuan në vitin e fundit, pas një vale trazirash në pjesën veriore të vendit, që çoi në lëndimin e të paktën 90 paqeruajtësve në një përplasje me protestues serbë. Siguria në Kosovë u cenua në shtatorin e kaluar kur një grup i armatosur serb shtiu mbi Policinë e Kosovës në një sulm, të cilësuar terrorist, me ç’rast një pjesëtar i policisë u vra. Liderët e Kosovës paralajmëruan se rreziku për sigurinë e vendi është rritur që prej sulmit rus në shkallë të gjërë në Ukrainë.
Në 75 vjetorin e themelimit të Aleancës, Kosova ndërtoi forcën e saj të sigurisë, e transformuar nga Trupat Mbrojtëse dhe e zhvilluar mbi standardet e NATO-s.
Megjithëse e ndihmuar nga Aleanca, Kosova ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e saj të anëtarësimit as në Partneritetin për Paqe dhe as edhe në vetë NATO. /RTV21/21Media