KFOR-i stërvitet për kontrollimin e trazirave dhe të turmave

Misioni i Aleancës Veri – Atlantike në Kosovë, KFOR-i, këtë të enjte, ka njoftuar se Kompania e manovrimit të Forcës së Rezervës Operacionale Italiane ka përfunduar me sukses përgatitjet e duhur për të kryer operacionit e kontrollit të trazirave dhe të turmave.

Trajnimi, sipas një njoftimi i publikuar nga faqja zyrtare e KFOR-it, është titulluar “Fobia e Zjarrit”, meqë ushtarët janë trajnuar edhe për vënien nën kontroll të zjarreve.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirin e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe ditë më parë Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, kishte njoftuar se KFOR-i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’iu përgjigjur ndaj çdolloj dhune të mundshme në Kosovë.

Gjenerali turk, ndër të tjera, kishte potencuar se NATO-ja ka forcuar prezencën e saj në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Mandati i KFOR-it është i qartë, të mbajë mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë njerëzit e saj. Pa marrë parasysh se nga vjen kërcënimi. Më lejoni t’u sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, deklaroi ai në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, kur u pyet se si do të përgjigjet KFOR-i në rast se Serbia ndërmerr veprime agresive kundër Kosovës.

“Si pasojë, NATO-ja ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese. Tani po mbajmë më shumë aktivitete. Kemi katërfishuar praninë tonë në Veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare. Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, shtoi ai. /Albanianpost.com

Read Previous

Rashiq: INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin

Read Next

​Kosova U19 mëson rivalët e “Elite Round” për kualifikimet e Euro 2024