“Këto vendime të VAR-it po e shkatërrojnë futbollin”

Pak minuta para fundit, Ollie Watkins bëri goditjen vendimtare. Anglia është në finale të Evropianit, ndërsa holandezët duhet të kthehen në shtëpi. Disa te Holanda këtë e kanë përjetuar shumë rëndë. Kritikat ishin sidomos ndaj arbitrit kryesor, Felix Zwayer dhe asistentit të tij në dhomën e VAR-it, Bastian Dankert.

“Nuk mendoj se ishte penallti. Vendime si ai po e shkatërrojnë futbollin. Çka do të duhej të bënit si mbrojtës”, ka thënë selektori i Holandës, Ronald Koeman pas ndeshjes.

Ai e kundërshton vendimin për të dhënë penallti për duelin mes Denzel Dumfries dhe Harry Kaneit. Penalltia u dha me sinjalizim nga dhoma e VAR-it. Kapiteni anglez, Kane, mori përgjegjësinë dhe barazoi rezultatin në 1:1.

Holanda kaloi herët në epërsi në ndeshjen e së mërkurës mbrëma në Dortmund.

“Fakti që arbitri vrapoi direkt për në zhveshtore pas ndeshjes i tregon të gjitha”, ka thënë mbrojtësi i Holandës, Virgil Van Dijk.

Përzgjedhja e gjermanit Zwayer për ta drejtuar ndeshjen gjysmëfinale është pritur me skepticizëm. Ai ishte i dënuar më parë për përfshirje në kurdisje.

Golashënuesi më i mirë i Holandës, Cody Gakpo, ishte po ashtu i befasuar me penalltinë, por e ka fajësuar edhe veten.

“Ka shumë gjëra për të thënë për arbitrin, por kjo nuk është e nevojshme. Është dashur të paraqitemi më mirë. Nuk duhet ta kërkojmë fajin diku tjetër”, ka thënë Gakpo.

Edhe Dumfries, që shkaktoi penalltinë, është deklaruar më i matur. Ai më pas shpëtoi një gol të sigurt dhe e goditi traversën.

“Kishte kontakt. Dhe në atë moment ju e dini që mund të akordohet. Ju bëni çdo gjë për të ruajtur portën, por më pas diçka e tillë mund të ndodhë”, ka thënë Dumfries.

Ndërkohë UEFA ka mbrojtur vendimin për të përzgjedhur Zwayerin për ta drejtuar ndeshjen gjysmëfinale. UEFA beson në pastërtinë e 43-vjeçarit./Koha.net

Read Previous

Çeku: Është banalitet dhe absurditet ta mohoj që ia ndava vëllait 257 mijë euro fonde

Read Next

Osmani takohet me kryeministren e Danimarkës