Këto janë masat e reja anti-COVID që pritet të merren nga Qeveria

Qeveria e Kosovës sot pritet t’i ndërmerr masat e reja anti-COVID. KOHA ka mësuar se në mesin e tyre është ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në rasteve urgjente.

Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Sipas njoftimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.

“Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.

Ndërkaq bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:

-Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;

-Gjatë vrapit dhe çiklimit;

-Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

Qeveria e Kosovës sot do mbajë mbledhje në orën 15:00. KOHA ka mësuar se temë e rendit të ditës do jenë masat e reja anti-COVID.

Ditë më parë janë paralajmëruar se do hyjnë në fuqi masa të reja, të cilat do prekin gastronominë dhe bizneset.

Në anën tjetër, Shoqata e Gastronomëve do mblidhet në 14:00 për t’i diskutuar masat anti-COVID. Afrim Muçiçi nga Oda e Hotelerisë ka kërkuar që të lejohet organizimi i dasmave.

“Dihet që prej sallave të dasmave ne mbajmë familje, kurse partitë politike i shfrytëzuan ato për fushata, u rrit numri i të infektuarve kështu që duan tashmë ta mbyllin vendin. Jemi një zëri të bashkuar, ne jemi pro hapjes për të gjitha kategoritë. Ne nuk kemi qëndruar duarkryq gjatë kësaj kohe, i kemi shkuar rrugës institucionale, nuk kemi dalë në rrugë të përballemi me dhunë”, ka thënë ai.

Kundër masave të reja janë shprehur edhe disa përfaqësues komunash. Ata thonë se vendosja e masave do e dëmtonte më shumë ekonominë.

Read Previous

912 persona të hospitalizuar për COVID-19, 736 prej tyre në oksigjeno-terapi

Read Next

​Tahiri: Ndërkombëtarët të mos heshtin para krimeve serbe