Gjakova është një qytet me histori të lashtë shumë shekullore me një numër të madh të objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat i shtojnë bukurinë çdo pjese në të cilën ato ndodhen. Kjo komunë krahas turizmit kulturor e ka të zhvilluar edhe turizmin natyror. Çarshia e vjetër, Shpella e Kusarit dhe Muzeu etnografik janë vetëm disa prej pikave kyqe që turistët shprehin interesim për t’i vizituar, kështu na tha Dalon Kulludra, zyrtar për promovim të turizmit.
E vërteta është se pandemia ka goditur shumë fusha të cilat shërbejnë për zhvillimin e tërësishëm të vendit, një ndër to është edhe turizmi. Por, në këtë mes ka një gjë të mirë, turizmi në raport me vitin e kaluar shënon rritje goxha të lartë.
Broshurat, janë një nismë e qëlluar për t’i dhënë një orientim më të mirë turistëve, prandaj zyrtarët kanë punuar edhe në këtë aspekt .
Turizmi ka qenë fokusi edhe i Drejtorisë për zhvillimin ekonomik në komunën e Gjakovës. Ka një ngritje të ekonomisë dhe një zhvillim të qëndrueshëm. Gjatë kësaj legjislature është investuar në Shpellën e Kusarit, Kanionin e Drinit për të vazhduar kështu me Urën e Terzive, Tabakëve e shumë investime të tjera. Krejt kjo me qëllim që të nxjerrim në pah bukuritë kulturore e natyrore, pohoi Ferdinand Kolaj, drejtor i zhvillimit ekonomik.