Këshilli i BE-së miraton pozicionin për planin për rritje ekonomike në Ballkan

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u pajtuan të mërkurën gjatë një takimi të ambasadorëve në Bruksel për një qëndrim të përbashkët të Këshillit të BE-së për planin gjashtë miliardësh për reforma dhe rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tani, hapi i radhës është që Parlamenti Evropian ta miratojë qëndrimin e vet, me gjasë javën e ardhshme, para se të nisin bisedimet mes tri institucione kryesore të BE-së, Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, për ta formalizuar përfundimisht këtë plan, shkruan REL.

Në njoftimin e Këshillit të BE-së thuhet se qëllimi i këtij plani është t’i ndihmojë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e reformave dhe në rritjen ekonomike, në mënyrë që ato ta përshpejtojnë anëtarësimin në BE.

Në këtë plan, Bashkimi Evropian ka planifikuar t’i ndajë 6 miliardë euro për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027.

Sipas zëvendëskryeministrit kosovar, Besnik Bislimi, Kosova pritet të përfitojë 950 milionë euro – njëherësh fondin më të madh të ndarë ndonjëherë nga blloku për të, në një periudhë relativisht të shkurtër.

Read Previous

Kryeministri Kurti: Epopeja e UÇK-së, e papërsëritshme, me domethënie të pashteruar

Read Next

Aeroporti i Frankfurtit mbyllet të enjten, shkak greva e stafit të sigurisë