Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Ndërkombëtarët të ruajnë neutralitetin dhe të mbështesin Kosovën

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar për situatën që është krijuar në veri të Kosovës.

Ky këshill thotë në reagim se Kosova është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacënueshëm.

“Kemi shprehur shqetësimin lidhur me paqëndrueshmërine dhe sigurinë në komunat me shumicë Serbe, si rrjedhojë e aktivitetit destabilizues e kriminal të strukturave parapolitike e paraushtarake paralele që veprojnë në këto komuna, të mbështetura nga Beogradi nëpërmjet agjencive të inteligjencës serbe, që po konfirmojnë dita ditës se janë proxy të shërbimeve sekrete ruse”, thuhet në reagim.

“Në lidhje me zhvillimet e fundit, ritheksojmë se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacënueshëm. Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndrruar Republikën e Kosovës në një shembull demokracie për të gjithë rajonin dhe në një kontributore të pazëvendësueshme të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë”.

“Zbatimi i ligjit në të tërë territorin e Kosovës është bazë themelore për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, cka e bërë atë shembullin që përmendëm më lart”.

KASH vlerëson profesionalizmin e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës në qetësimin e situatës dhe jetësimin e hapave dhe vendimmarrjeve demokratike, institucionale e kushtetuese, të realizuara së fundmi në veriun e vendit.

“Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe, të Serbisë e të Presidentit të saj, sikundër ndodhi dhe me deklaratat e fundit të papërgjegjshme të tij”.

/KlanKosova/

Read Previous

Aksident trafiku në Gjakovë: Vetura godet traktorin, shoferi dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

Read Next

Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan