Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka kërkuar që të ketë kursim maksimal të energjisë elektrike meqë konsumi i saj po rritet.
“Ditët e para të nëntorit tregojnë një rritje të kërkesës për rreth 18% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kur ende nuk kemi hyrë në dimër, kërkesa ka shkuar në mbi 1100 megavat për orë në kohë pikut”, thuhet në njoftimin e tyre.
KESCO ka potencuar se konsumatorët duhet ta kenë parasysh që Kosova “ka tarifa që e nxisin kursimin e energjisë elektrike”.
“Tarifat janë të ndara në dy blloqe kryesore sa i përket shpenzimit: deri në 800 kWh dhe mbi 800 kWh. Çmimet janë dukshëm më të larta për shpenzimin mbi 800 kWh. Prandaj, konsumatorët duhet ta kenë parasysh këtë dhe ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike”, potencohet në njoftim.
KESCO ndër të tjera ka këshilluar që gjatë dimrit për hir të kursimit të energjisë elektrike të ngrohen vetëm hapësirat ku qëndrohet.
“Gjatë krizës energjetike, shumë vende evropiane e patën kufizuar temperaturën e brendshme të mos jetë gjatë dimrit mbi 19°C. Kjo temperaturë llogaritet që ofron ngrohje të mjaftueshme për njeriun gjatë dimrit”./Albanianpost.com