Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të nis vaksinimin e stafit i SHKK-së, stafit të qendrave të kujdesit social, si dhe stafit në qendrat e azilit dhe për të huaj.
“Gjatë punës sonë në terren, veçanërisht monitorimit të institucioneve të mbyllura (burgjet, qendrat e mbajtjes në stacionet policore, institucionet e shëndetit mendor dhe të kujdesit social, qendrat e azilit dhe për të huaj), QKRMT ka vlerësuar menaxhimin e situatës me Covid-19 duke evidentuar sfidat me të cilat ballafaqohen këto institucione gjatë kësaj periudhe” thuhet në kërkesën e QKMRT-së.
QKMRT gjithashtu ka rekomanduar që në listën e prioriteteve në planin e vaksinimit të përfshihen grupet e cenueshme, si të burgosurit, rezidentët e institucioneve të shëndetit mendor dhe qendrave, ata të kujdesit social, azilkërkuesit dhe të huajt në mbajtje.
“Rekomandimi i QKRMT-së për trajtimin me prioritet të këtyre kategorive, mbështet edhe në hulumtimin e OBSh-së i cili thekson se rreziku i transmetimit të COVID-19 është më i lartë në qendrat e mbajtjes, andaj edhe rekomandon që këto grupe shoqërore që jetojnë dhe punojnë në këto institucione të mbyllura, duhet të vaksinohen me prioritet” thuhet në fund të këtij njoftimi./GazetaSinjali