Kërkohet paraburgim për personin që hodhi “molotov” në automjetet e policisë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet T.K., ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.08.2024 rreth orës 17:45 minuta para objektit të policisë së Kosovës-Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, me dashje dhe me qëllim që të bëjë shkatërrim të objektit dhe të automjeteve zyrtare ka shkaktuar dëm material dhe rrezik të madh për jetën e zyrtarëve policor, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri T.K., i pajisur me katër shishe të mbushura me benzinë dhe vaj të djegur, afrohet tek objekti i policisë dhe i hedh të gjitha shishet në drejtim të objektit të cilat përfundojnë në dy automjete zyrtare të policisë ku të njëjtat i kaplon zjarri mirëpo me shpejtësi reagojnë zyrtarët policorë dhe e shuajnë zjarrin dhe më pas e arrestojnë të pandehurin i cili ishte duke u larguar nga objekti i policisë. Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri, ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par.3 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Read Previous

Vetëm dy trajnerë kanë bërë më mirë se Hansi Flick deri më tani tek Barcelona

Read Next

Së shpejti do të sanohen katër penda në katër zona të Gjakovës