Kërkohet nga MPB-ja zgjidhje urgjente për kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar lidhur me kushtet e rënda të punës në Pallatin e Drejtësisë, duke i bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të gjejë një zgjidhje për këtë situatë.

KPK dhe ZKPSH-ja përmes një komunikate për media i kanë bërë sërish thirrje këtij dikasteri që të ndërmarrë masa konkrete dhe efektive për përmirësimin e kushteve elementare të punës në këtë objekt.

“KPK dhe ZKPSH gjithashtu informojnë opinionin publik se kërkesat e tyre të përsëritura për ndërhyrje dhe rregullim të sistemit të ftohjes nuk kanë marrë përgjigje për vite me radhë, ndonëse objekti i Pallatit të Drejtësisë është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e tij”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera, këto institucione kanë shprehur shqetësimin e thellë për kushtet e papërshtatshme të punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemit të ftohjes dhe temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin.

“Për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, temperaturat brenda zyrave të këtyre prokurorive po arrijnë mbi 35°C, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punës dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve”.

KPK dhe ZKPSH kanë kërkuar që institucionet, në kuadër të kompetencave të tyre, të marrin masa të menjëhershme, përfshirë edhe reduktimin e orarit të punës deri në përmirësimin e kushteve.

Më 30 qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të ndërmarrë masa të përkohshme për shkak të kushteve të vështira në Pallatin e Drejtësisë.

Një vendim i ngjashëm nga gjykata ishte marrë edhe gjatë viteve të kaluara, për shkak të mungesës së kushteve për të kryer punën.

Read Previous

Studimi në Holandë, ndalimi i telefonave në shkolla përmirësoi procesin mësimor

Read Next

Hamilton kritikon Ferrarin: Strategjia në Silverstone na kushtoi 3-4 pozicione