Kërkesa për shtyrje të afatit për targat, Bislimi në takim me Lajçakun në Bruksel

Po mbahet takimi në Bruksel në mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ky takim vjen pas kërkesës për shtyrje të vendimit të Qeverisë së Kosovës për qështjen e targave ilegale.

Nga ana tjetër, Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, në konferencë për media pas takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm BE-së, ka thënë se situata në Kosovë është më e rrezikshmja që nga viti 2013.

Borrell ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e t’i ulin tensionet.

Më tej ka shtuar se Kosova duhet të tregojë fleksibilitet për çështjen e targave, ndërsa duhet të nisë edhe punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, ka thënë Borrell.

Kujtojmë se pavarësisht kërkesave të shumta për shtyrje të vendimit për targa, Qeveria e Kosovës, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS. /Telegrafi/

Read Previous

Takimi i Konjufcës me delegacionin e Kongresit amerikan, flasin për ngritjen e Institutit Parlamentar

Read Next

​Infantino kërkon armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë zhvillimit të Botërorit