Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë. Në një email që është dërguar në adresën e Presidencës së Kosovës pak ditë më parë, presidentja është kërcënuar me jetë, duke u quajtur ndër të tjera edhe “kriminele antikushtetuese”. Adresa ishte anonime.
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka thënë se kërcënimi i fundit ishte vazhdimësi i kërcënimeve me jetë ndaj presidentes Osmani. Ai ka akuzuar institucionet e drejtësisë për mosveprim. Ai tha se janë bërë dhjetëra kërcënime, madje në shumë raste me emër e mbiemër, por s’ka pasur masa.
“Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Kupina. “Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”.
Kupina ka thënë se sipas institucioneve të sigurisë, është rasti i vetëm në historikun e institucioneve ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.
“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, ka thënë Kupina. /Koha.net/