Kërcënim me bombë në disa institucione në Shqipëri

Një sërë institucionesh në disa qytete të Shqipërisë janë përfshirë mëngjesin e sotëm në një alarm sigurie, pasi në adresat e tyre elektronike është dërguar një mesazh kërcënues me përmbajtje terroriste, ku pretendohet se në ndërtesa janë vendosur bomba.

Sipas Policisë së Shtetit, mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike ende e paidentifikuar. Pas pranimit të kërcënimit, strukturat policore kanë ndërmarrë kontrolle dhe verifikime në ambientet e institucioneve të sinjalizuara.

Në mesin e institucioneve, sipas mediave shqiptare, që kanë pranuar emailin kërcënues janë SPAK, GJKKO, ISSH, AIDA, Gjykata e Lezhës, si dhe institucione të tjera në qytete të ndryshme të vendit.

Për shkak të masave të sigurisë, stafet e institucioneve ku është raportuar alarmi janë urdhëruar të mos rikthehen në ambientet e tyre të punës deri në orën 12:00.

Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk është konstatuar asnjë bombë apo lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po punon për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.

Në email pretendohet se bombat do të shpërthenin pas dy orësh, ndërsa përmbajtja e tij përfshin edhe kërcënime të rënda ndaj punonjësve të institucioneve.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se nuk ka vend për panik.

“Pershendetje. Kjo eshte Shteti Islamik. Me vulinetin e Allahut, kemi vendosur nje bombē ne ndertesen tuaj. Ajo do te shpertheje pas dy oresh.
Pas késaj, ju te pafe do te copétoheni. Pastaj do t’ju vrasim.
Allahu Akbar
”, thuhet në email.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Katastrofa në Nepal, shkencëtarët: Shembja e akullnajës shkaktoi përmbytjen masive

Read Next

Afro 5 mijë kandidatë do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës të shtunën