“Nuk është figurë unifikuese”, Hoti del kundër Sejdiut për president
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur dënimin ndaj M.A., edukatore në një kopsht fëmijësh në Ferizaj, për veprën keqtrajtim apo braktisje e fëmijës dhe lëndim i lehtë trupor.
Gjykata e shpalli fajtore dhe e dënoi me 11 muaj burgim për keqtrajtim të fëmijës, kurse me gjashtë muaj burgim për lëndim të lehtë. Gjykata dënimin e fundit ia ka zëvendësuar më pas me dënim me gjobë prej 6 mijë euro.
Po ashtu, e dënuara ka marrë edhe dënim plotësues me ndalim të ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës së edukatores në kohëzgjatje prej pesë vjet.
“E pandehura M.A., akuzohet se më datë 4 nëntor 2025 dhe 5 nëntor 2025, në vazhdimësi, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në një kopsht të fëmijëve “M.” në Ferizaj, e pandehura ka keqpërdor të drejtat e saj të cilat i kishte si edukatore, e të cilës i ishin besuar në ruajtje, edukim dhe kujdes dy fëmijët e moshës 2 vjeçar, pra me dashje i ka keqtrajtuar ata duke përdorur masa fizike dhe mendore, duke i detyruar me dhunë për të fjetur, duke i shtyrë, tërhequr për flokë dhe përplasur për dysheme të dëmtuarit – fëmijët, me të cilin veprim ka kryer në vazhdim veprën penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata ka shpjeguar tutje se më 5 nëntor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në kopshtin e njëjtë Ferizaj, e pandehura e sulmoi me dashje njërin fëmijë dy vjeçar, në atë mënyrë që e kap për flokë e tërheqë duke ia dëmtuar – shkulur flokët si dhe duke ia dëmtuar lëkurën në atë pjesë të kokës. Me këto veprime, ajo u ngarkua për veprën lëndim i lehtë trupor. /Koha.net/