Gjatë ditës së djeshme rajoni i Gjakovës është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike nga orët e mëngjesit e deri në mbrëmje. Sipas Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji një gjë e tillë ka ndodh për shkak të pastrimit gjeneral dhe mirëmbajtjes totale të nënstacionit elektrik. Përmes telefonit për televizionin Syri zyrtarët e distriktit të Gjakovë janë shprehur se krahas mirëmbajtjes Keds është duke realizuar edhe disa punime në rrjetin energjetik dhe në ditët në vijim mund të ketë ndëprerje të energjisë kjo për shkak të punimeve të cilat po bëhen për siguri të sistemit energjetik dhe si rezultat në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës në periudha të shkurta kohore për të cilën do të shpallen njoftimet me kohë përmes mediave dhe rrjeteve sociale. Rikujtojmë se këtë vit, KEDS ka investuar në vlerë prej 6.3 milionë euro në komunën e Gjakovës.
Konkretisht, në rehabilitimin e tensionit të mesëm punimet të cilat janë duke u realizuar ende dhe ky investim do të sigurojë shërbime më të mira të energjisë elektrike për 33 mijë konsumatorë të komunës tonë thonë zyrtarët e Distriktit të Gjakovës. Tutje kanë theksuar se KEDS, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që konsumatorëve t’u ofrohet furnizim më i qëndrueshëm i energjisë elektrike gjatë stinës së dimrit. Për çdo vit, kjo kompani planifikon mirëmbajtje preventive në pastrimin e linjave deri në 500 kilometra, marrë parasysh që kjo stinë është më problematikja sa i përket kushteve atmosferike. Ndër të tjera nga kjo kompani kanë bërë të ditur se krahas mirëmbajtjes që organizohet çdo vit në terren, KEDS implementon me qindra projekte kudo në vend në mënyrë që shërbimi të jetë më kualitativ. Këto investime janë jetësim i përkushtimit të KEDS-it që të jetë sa më afër qytetarëve të Kosovës dhe të përmirësojë në vazhdimësi shërbimet për ta.