KDI: SHSKUK-ja dëmtoi buxhetin në vlerë prej 57 mijë eurosh

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka analizuar dy kontrata të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për furnizimin me oksigjen.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, KDI bëri të ditur se në fillim të pandemisë COVID-19, SHSKUK-ja kishte lidhur kontratë kornizë me kompaninë Medical Group për furnizim me oksigjen për inhalim të përdorimit me menaxhimin e hipoksisë.

“Çmimi i kontratës për një kilogram oksigjen ishte 1.68 euro dhe në total kontrata parashihte që të porositeshin 485,736 kg. Mirëpo vetëm dy muaj më vonë, më 23 korrik 2020, SHSKUK nënshkruan një kontratë tjetër përmes procedurës së negociuar me kompaninë Medica, për furnizim të njëjtë, mirëpo këtë herë me çmim 2.01 euro për kg oksigjen, respektivisht rreth 20% më shtrenjtë për njësi”.

Tutje, është bërë e ditur edhe sasia që është porositur përmes kësaj kontrate.

“Sasia që është porositur përmes kësaj kontratë është 44,250 kg në vlerë prej 88,942.50 euro. Duke qenë së në kohën e zhvillimit të këtij prokurimi, SHSKUK veçse kishte një kontratë aktive me Medical Group, ka mundur që të njëjtën sasi ta porosisë përmes kësaj kontrate në çmim prej 14,602.50 euro më lirë”.

Përveç kësaj, KDI ka analizuar edhe një aktivitet tjetër të prokurimit që ka të bëjë me furnizimin me oksigjenin e lëngshëm.

Instituti Demokratik i Kosovës.

Në këtë të fundit duke u bazuar në publikimin e SHSKUK-së e cila më 1 prill 2021 publikoi aktivitetin e prokurimit “Furnizim me oksigjen medicinal për nevojat e SHSKUK” për furnizim me 5.2 milion litra oksigjen në vlerë të parashikuar prej 2.44 milion euro.

Vlera e parashikuar për një litër oksigjen ishte 0.47 euro bazuar në kontratën paraprake me Medical Group.

Për këtë tender, SHSKUK kishte pranuar tre oferta të përgjegjshme.

“Megjithatë, pas rreth 50 ditësh nga dorëzimi i ofertave, ky tender ishte anuluar sipas kërkesës nga Barnatorja Qendrore nën arsyetimin se me uljen e rasteve me COVID-19 është zvogëluar edhe kërkesa për oksigjen medicinal. Anulimi i kësaj procedure do të nënkuptonte që do të vazhdohej të bëheshin porosi me oksigjen me kontratën aktive në atë kohë (kontrata me OE Medical Group, me çmim 0.47 euro për litër), por që në muajin qershor 2021 kishte arritur në rreth 84% të sasisë së shpenzuar”.

Gjithashtu, KDI ka gjetur edhe pse është anuluar tenderi.

“SHKSUK vetëm gjatë muajve maj – gusht 2021, kur është nënshkruar një kontratë e re duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kishte porositur 428,000 litra oksigjen”.

“Po të llogariten me çmimin e kontratës ekzistuese 428,000 litra oksigjen kanë kushtuar 201,160 euro, ndërsa nëse do të nënshkruhej kontrata me kompaninë Medica, kjo sasi do të kushtonte 158,360 euro (428,000 * 0.37) respektivisht 42,800 euro më lirë”.

Ndërsa, më 27 gusht të 2021, SHSKUK-ja ka nënshkruar kontratë të negociuar me kompaninë Medicdal Group me çmim 0.36 euro për një litër oksigjen.

“Kjo kontratë, ka mundur të mos ekzistonte fare, sikur të lidhje kontrata në muajin qershor me kompaninë Medica, me çmim prej 0.37 euro”, sqarohet nga KDI.

Ndwr tw tjera, ky institut vlerëson se si pasojë e mospërgatitjes, trajtimin e dukur të nevojave për oksigjen dhe veprimeve të gabuara, në të dy rastet e sipër cekura për furnizim më oksigjen, SHSKUK-ja i ka shkaktuar humbje në buxhetin publik prej rreth 57 mijë euro.

Ndryshe, oksigjeni (në formë të gaztë dhe atë të lëngshme) ka qenë një nga produktet që është përdorur më së shumti për trajtimin e pacientëve të shtrirë në spitale gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Përderisa para pandemisë, kërkesa për oksigjen ka qenë më e vogël, gjatë pandemisë kërkesa është rritur për disa herë. /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA publikon raportin: Rusia dhe Kina, vendet ku trafikohen më shumë qënie njerëzore

Read Next

Ish-menaxheri i Schumacher sulmon familjen e legjendës së F1 për ‘gënjeshtra’ rreth gjendjes së tij