KB “Vëllaznimi” mbetet në Superligën e Kosovës

KB “Vëllaznimi” do të vazhdojë të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në basketboll edhe në edicionin garues 2026/2027.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar se Bordi i FBK-së ka miratuar aplikimin e KB “Vëllaznimit” për Wild Card në elitën e basketbollit kosovar, pas vlerësimit të aplikimit dhe konstatimit se klubi ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara për këtë procedurë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit të FBK-së, ku ndër të tjera është miratuar edhe procesverbali i mbledhjes së mbajtur më 15 korrik 2026.

Me këtë vendim, “Vëllaznimi” siguron vazhdimësinë në Superligën e Kosovës, pas zhvillimeve të fundit dhe pas një periudhe të ngjeshur për klubin gjakovar.

Drejtuesit e KB “Vëllaznimit” tashmë kanë nisur procesin e riorganizimit me synimin për përgatitjen e skuadrës për sezonin e ri, ndërsa në ditët në vijim priten të bëhen publike edhe lëvizjet e para rreth ekipit dhe strukturës së klubit.

“Vëllaznimi”, njëri prej klubeve me traditë në basketbollin kosovar, do të jetë kështu sërish pjesë e garës mes më të mirëve në vend. /AsistiOnline.com/

Read Previous

FBK cakton shpërblimet financiare për klubet për sezonin e ri