Në mesjavë, përkatësisht të mërkurën dhe të enjten zhvillohet xhiroja e 15-të në Superligë e basketbollit, xhiro kjo që është e fundit për vitin 2023.
Sfida e parë zhvillohet ndërmjet vendit të fundit, Istogut dhe lideres Trepçës. Istogasit kanë një fitore e 13 humbje, kurse mitrovicasit kryesojnë me 12 fitore e dy humbje.
Takimi i dytë i së mërkurës zhvillohet mes Prishtinës dhe Prizrenit. Bardhekaltrit janë në formë të lartë me nëntë fitore e pesë humbje, ndërsa prizrenasit renditen në vendin e gjashtë me pesë fitore e nëntë humbje.
Të enjten do të përballen Ylli me Bashkimin. Therandasit kanë tetë fitore e gjashtë humbje, ndërsa prizrenasit kanë katër fitore e dhjetë humbje, andaj të dy skuadrat synojnë fitoren, që të kenë plasman sa më të mirë në garat e rregullta.
Peja – Vëllaznimi është sfida e fundit, që njëkohësisht pritet të jetë më interesantja e kësaj xhiro. Kampionët e Kosovës janë në vendin e dytë me dhjetë fitore e katër humbje, ndërsa kuqezinjtë kanë shtatë fitore e shtatë humbje, duke u renditur në vendin e pestë.