Infektimi me Covid-19 kohëve të fundit nuk është duke kursyer as fëmijët. Tashmë edhe kjo kategori po ndihen të rrezikuar nga ky infektim për faktin se ditëve të fundit është raportuar edhe për raste të infektimit të fëmijëve me Covid-19.
Një situatë e tillë është trajtuar edhe në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ku bazuar në statistikat e tyre sipas shefes së Repartit të Pediatrisë Vjollca Vula, të infektuar me Covid 19 janë trajtuar 3-4 fëmijë. Fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore ka qenë stabile dhe të njëjtit kanë vazhduar trajtimin në shtëpi, por gjithsesi nën kujdesin e rekomandimeve të mjekut pediatër.
Duke e parë një situatë të tillë e cila edhe mund të ndryshojë nga dita në ditë, Vula apelon që prindërit të jenë më të kujdesshëm kundrejt fëmijëve të tyre duke i larguar ata nga ambientet që janë të stërngarkuara me njerëz të grupmoshave të ndryshme.
Theksojmë se Ministria e Shëndetësisë së fundmi ka raportuar edhe për infektime të disa fëmijëve me Covid-19 në Kosovë.