Bashkim Ajdini, Lorik Emini, Destan Bajselmani dhe Blendi Idrizi janë katër emra që për herë të parë përfshihen në listën e Përfaqësueses “A” të Kosovës në futboll. Përzgjedhësi i Kosovës, zvicerani Bernard Challandes, të martën pasdite ka publikuar listën e 23 lojtarëve në të cilët llogarit për dy ndeshjet e para miqësore që “Dardanët” i zhvillojnë në fillim të qershorit.
Më 1 qershor, Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” luan kundër San Marinos, ndërsa më 4 qershor luan ndaj Maltës në Klagenfurt të Austrisë.
Ndërkohë për herë të parë pritet t’i bashkohet Kosovës sulmuesi Astrit Selmani, që luan për skuadrën elitare të Suedisë, Hammarby. Selmani ishte i përfshirë në listë edhe për tri ndeshjet e muajit mars, por mungoi shkaku i situatës me koronavirus.
Kosova në mars luajti miqësore ndaj Lituanisë dhe dy ndeshjet kualifikuese për botërorin “Katari 2022” kundër Suedisë dhe Spanjës.
Në miqësoret e para të qershorit, Kosova do të paraqitet pa shumë lojtarë të rëndësishëm. Mungojnë Edon Zhegrova, Benjamin Kololli, Florent Hadërgjonaj, Bernard Berisha, Bersant Celina, Elbasan Rashani, Valon Berisha. Janë kthyer Valmir Sulejmani dhe portieri Arijanet Muriq. Muriq ishte përjashtuar nga kampi i përfaqësueses në mars për shkak të shkeljes disiplinore. Ai ishte paraqitur i dehur në një stërvitje fitnesi në hotel.
Për mungesën e shumë futbollistëve nuk është dhënë ndonjë arsyetim nga Federata e Futbollit e Kosovës e as nga drejtuesit e përfaqësueses. Celina është raportuar se është lënduar në ndeshjen e fundit, ndërsa shkaku i operimit mungon Valon Berisha.
Mungon edhe Leart Paqarada, që ka njoftuar se nuk do të grumbullohet te Kosova derisa në krye të shtabit teknik do të jetë Bernard Challandes. Ditë më parë nga përfaqësuesja janë tërhequr sulmuesi Atdhe Nuhiu dhe ish-kapiteni, Anel Rashkaj.
Nuk përjashtohet mundësia që disa prej lojtarëve të kenë zgjedhur pushimet verore para grumbullimit me Kosovën, pas një edicioni të gjatë. Ndeshjet e Kosovës nuk janë të profilit të lartë po ashtu dhe ndonjëri mund të ketë marrë leje.
Sulmuesi i Hannoverit, Valmir Sulejmani, është i lumtur për kthimin te Kosova. Ai tregon se ka prishur pushimet për t’iu bashkuar “Dardanëve”.
“Unë gjithmonë kam qëndruar gati për thirrjen e Kosovës. E pres gjithnjë. Këtë edicion kam pasur minutazhë të madhe, ndonëse në disa raste edhe nuk kemi luajtur mirë. Por, jam gëzuar shumë dhe unë do ta jap maksimumin për Kosovën. Po ndihem mirë që jam një prej lojtarëve të përzgjedhur nga trajneri Bernard Challandes. E vlerësoj besimin që ma ka dhënë dhe unë do të mundohem ta jap maksimumin për ta ndihmuar Kosovën. Kam pasur plane për pushime me disa shokë, por sot mora telefonatë nga menaxheri i përfaqësueses Bajram Shala dhe u thashë shokëve se më thërret Kosova dhe duhet t’i prishi planet. Më mirëkuptuan, sepse është nder kur të thërret shteti yt. Jam gëzuar shumë”, ka thënë Sulejmani për KOHËN.
Ai shpreson të gëzohet edhe në fushë.
“Pres t’i fitojmë ndeshjet edhe pse duhet respektuar çdo përfaqësuese. Nuk është me rëndësi a është në vend të parë apo të fundit. Për shtetin duhet ta japësh maksimumin dhe unë e di dhe jam i sigurt që secili prej nesh që kemi marrë ftesë të luajmë për Kosovën, do ta japim maksimumin. Janë ndeshje të rëndësishme për ne dhe po ashtu edhe fitoret e kanë rëndësinë e vet”, ka theksuar Sulejmani, i cili për ekipin “A” të Kosovës ka luajtur tri ndeshje.
Futbollistët e tjerë të ftuar nga Challandes për dy ndeshjet e para të qershorit janë portierët Samir Ujkani dhe Visar Bekaj; mbrojtësit Mërgim Vojvoda, Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Ibrahim Dresheviq, Betim Fazliji; mesfushorët Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Besar Halimi, Idriz Voca, Valmir Sulejmani, Milot Rashica, Lirim Kastrati, Arbër Zeneli, Zymber Bytyqi dhe sulmuesi Vedat Muriqi.
“Jam shumë i lumtur që sërish do të bashkohem me shokët e ekipit përfaqësues të Kosovës. Gjithnjë është kënaqësi kur luan për Kosovën dhe do ta jap maksimumin tim për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha ndeshjet. Shpresat tona janë për fitore për të kthyer dinamikën pozitive të rezultateve. Unë besoj se të gjithë do ta japim maksimumin për Kosovën, ashtu siç kemi bërë në të kaluarën”, ka thënë Vojvoda të martën për KOHËN.
Një listë tjetër, Kosova do ta publikojë pas pak ditësh për dy ndeshjet e tjera, atë ndaj Guinesë më 8 qershor dhe Gambisë më 11 qershor në Antalia të Turqisë.
Pas këtyre ndeshjeve miqësore, Kosova në shtator do t’i ketë tri ndeshje kualifikuese për botërorin “Katari 2022”. Luan në udhëtim ndaj Gjeorgjisë më 2 shtator, ndërsa e pret më 5 shtator Greqinë dhe më 8 shtator Spanjën./Koha.net/